Shembja e Teatrit Kombëtar përbën shkelje të nenit 15 të Konventës për të Drejtat Sociale, Ekonomike e Kulturore.






Albi Cela – Washington D.C

Shembja e Teatrit Kombëtar, përpos faktit që u krye në mënyrë të paligjshme, përbën gjithashtu shkelje të parimeve ndërkombetare të të drejtave të njeriut. E më specifikisht, të së drejtës së cdo individi për të marrë pjesë në jetën kulturore, e drejtë kjo e mbrojtur nga neni 15 pika 1 e Konventës mbi të drejtat sociale, ekonomike e kulturore. Konventë kjo, e cila krijon obligime për Republikën e Shqipërise si shtet anëtar. 

Neni 15 i Konventës parashikon që cdo shtet anëtar, duhet të njohë të drejtën e cdo individi për të marrë pjese në jetën kulturore. Duke qënë se kjo e drejtë është mjaft e gjerë, organi mbikëqyrës që garanton implementimin e Konventës, Komisioni mbi të Drejtat Sociale, Ekonomike e Kulturore, në Komentin e Përgjithshëm Nr. 21, e analizon këtë të drejtë imtësisht, duke e kthyer atë në një udhëzues për shtetet anëtare, por dhe individët. 

Komisioni e fillon analizën duke i trajtuar të drejtat kulturore si një pjese integrale e të drejtave të njeriut, dhe ashtu si të drejtat e tjera, i konsideron universale, të pandashme, dhe të ndërlidhura me njëra tjetrën. Komisioni thekson që promovimi dhe respektimi i të drejtave kulturore, është thelbësor për mbarëvajtjen e dinjitetit njerëzor, dhe për bashkëveprimin pozitiv shoqëror mes individëve dhe komuniteteve, me nje larmi multikulturore. 

Por cfarë janë të drejtat kulturore, dhe cfarë përfshijnë ato? Komisioni, në komentin e tij, nuk jep një perkufizim të të drejtave kulturore, por shprehet që kultura, është një koncept i gjerë, e gjithëpërfshirës, i cili manifeston të gjitha format e ekzistencës njerëzore. Jetës kulturore, Komisioni i referohet si një proces i gjallë, historik e dinamik, me një të shkuar, të tashme, e të ardhme. 

Kjo e tregon mjaft qartë sesa e gjerë dhe e pasur është jeta kulturore. E ndërkohë që rendit cfarë konsiderohet si pjesë e kultures, Komisioni përmend dhe artin. E këtu, të shkon menjëherë mendja tek teatri. Por, a përbën shembja e teatrit si ndërtesë, privim të së drejtes së një individit për të qenë pjesë e jetës kulturore? 

Sipas Komisionit, cdo shtet anëtar ka obligimin që të respektojë, mbrojë ,dhe të permbushë të gjitha detyrimet mbi të drejtën e individit për të qenë pjesë e jetës kulturore. Ndërkohe që rendit detyrimet që shteti ka, Komisioni vendos theksin tek respektimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në të gjitha format e saj, në kohë lufte, paqeje, si dhe fatkeqësie natyrore. 

Sipas komisionit, ajo duhet të ruhet, zhvillohet, pasurohet, e të kalohet brez pas brezi, si një rekord i përvojës dhe aspiratave njerëzore, me qellim për të inkurajuar krijimtarinë. Këtu perfshihet detyrimi për të ruajtur, kujdesur, dhe restauruar, mes të tjerash, zonat historike, monumentet, si dhe veprat e artit. Gjithashtu, Komisioni thekson që shteti duhet të tregojë kujdes të vecante lidhur me pasojat e pafavorshme te globalizimit, duke përfshirë dhe privatizimin e padrejtë të mallrave dhe shërbimeve që lidhen drejtpërdrejtë me marrjen pjesë në jetën kulturore. Këto elemente  duhen marrë në konsideratë në analizen e rastit të shembjes së teatrit.

Së pari, teatri është monument kulture, dhe pjesë e trashëgimisë kulturore. Edhe pse në ligjin përkatës nuk cilësohet specifikisht si monument kulture, ai është pjesë e qendrës historike të Tiranës e cila është shpallur “Ansambël Monument Kulture”. Së dyti, qeveria Shqiptare ka dështuar të permbushë detyrimin për mbrojtjen e trashëgimisë, dhe monumenteve kulturore gjatë fatkeqesisë natyrore, e cila është shpallur më 24 Mars, dhe vazhdon të jetë në fuqi. 

Së treti, i gjithë procesi i privatizimit është bërë në shkelje të legjislacionit përkates, dhe rrjedhimisht në shkelje të parashikimit përmendur më lart, në lidhje me privatizimin e padrejtë të mallrave dhe sherbimeve që lidhen me të drejtat kulturore, në këtë rast trualli i teatrit. Së fundmi, qeveria ka shkelur jo vetem të drejtën e cdo Shqiptari, në momentet që flasim, por edhe të brezave te ardhshem, pasi sic u tha më lart, cdo shtet ka detyrimin që trashegiminë kulturore ta ruajë, në menyrë që dhe brezat e ardhshëm të kenë mundësinë ta njohin.

Pra, shembja e teatrit nuk përbën vetëm një shkelje të procedurave të shembjes, por dhe të të drejtave te njeriut. Kjo shkelje mund të adresohet nga cdo i interesuar, qoftë individ apo grup individësh, jo vetem në sistemin e brendshëm gjyqësor. Përmes Protokollit të Konventes, Komisioni ka tagrin të shqyrtojë cdo komunikatë mbi shkeljet që kryejnë shtetet anëtare. Mjafton që pala e interesuar të ketë ezauruar të gjitha shkallët e brendshme të gjyqësorit. Perjashtim bëhet në rastet kur procesi tejzgjatet dhe pala e interesuar mund ti drejtohet menjëhere Komisionit. 

Duke patur parasysh situatën e sistemit gjyqësor në Shqiperi, cdo individ apo grup i interesuar, mund të konsiderojë adresimin e kësaj cështjeje para Komisionit per të drejtat sociale, ekonomike e kulturore, si një mundësi për të mbajtur shtetin përgjegjes jo vetem para Shqiptarëve, por dhe përpara komunitetit ndërkombëtar.