New Podcast Interview – Edukimi ligjor dhe pasojat në reformën në drejtësi, me Albi Çela dhe Megi Ndregjoni




Albi Çela & Megi Ndregjoni – Washington D.C./Tiranë





Edukimi në tërësi, por ai ligjor në vecanti, është një nga tematikat më pak të cekura në realitetin Shqiptar, edhe pse vendi po i nënshtrohet një reforme rrënjësore të sistemit të drejtësisë. 

Ndërkohë që reforma po i afrohet gjysmës së rrugëtimit, ku një pjesë e mirë e trupës gjyqësore janë përjashtuar nga sistemi pasi nuk justifikojnë pasurinë apo nuk janë të kualifikuar, po bëhet gjithmonë e më evidente që reforma në vetvete nuk është e mjaftueshme, por duhej ndërhyrë që në gjenezë, pra, në sistemin e edukimit ligjor aty nga do dalin brezat e ardhshëm të juristëve. 

Duke qënë dy profesionistë të rinj të diplomuar në ligj, kemi identifikuar disa problematika në sistemin edukimit ligjor që duhej të ishin adresuar vite më përpara, por duke patur parasysh situatën aktuale, jemi të mendimit që duhen adresuar sa më parë të jetë e mundur. 

Së pari, mungesa e filtrimit të fituesve të së drejtës për të studiuar ligj ka sjellë mbingarkim të sistemit, duke sjellë me mijëra juristë të diplomuar cdo vit në rang kombëtar. Kjo ka sjellë jo vetëm mbingarkim të kërkesave të tregut të punës por njëkohësisht dhe rënie të cilësisë, duke e shndërruar drejtësinë në një nga degët më lehtësisht të arritshme, ndryshe nga sistemet perëndimore ku përfshihen një sërë etapash për tu pranuar.

Së dyti, vërëhet mungesa e përditësimit dhe larmishmërisë të literaturës së brendshme por dhe asaj të huaj. Kjo nuk i jep mundësi studentit për tu thelluar në njohuri apo hulumtim, dhe si pasojë krijon mangësi në formimin akademik dhe rrjedhimisht atë profesional. 

Së treti, ka mungesë interesi për praktika mësimore dhe gjyqe simuluese, të cilat nga eksperienca jonë janë tejet të rëndësishmë për formimin e një juristi. Mungesa e interesit vjen si pasojë e lënies pas dore nga institucionet përkatëse, duke përfshirë ato të sistemit gjyqësor dhe arsimor.

Së katërti, vlen të theksohet mungesa e kërkimit shkencor nga vetë studentët. Kjo lidhet më së shumti me mungesën e strukturave, fondeve dhe resurseve të tjera që nevojiten. 

Së fundmi, ka mungesë informacioni lidhur me ndryshimet që ka sjellë reforma. Duke qënë se janë ndryshuar një sërë ligjesh, brezat e fundit të juristëve nuk kanë patur akses në literaturë të përditësuar, apo dhe komente të komisioneve përkatëse, lidhur me këto ndryshime. 

Të gjitha këto problematika do të kenë një ndikim thelbësor në out put-in e reformës në drejtësi. Duke patur parasysh numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar, dhe interesin e ulët të studentëve për tu bërë magjistratë, rrezikohet të krijohet një vakum në secilën shkallë të sistemit gjyqësor. Përvec kësaj, një element tjetër shqetësues është dhe formimi jo i plotë i atyre që mendohet që do të zëvendësojnë të larguarit, kjo si pasojë e të gjithë problematikave të përmendura më lart.

Ndaj, është e nevojshme që jo vetëm të vijohet me reformimin e gjyqësorit, por të ndërhyhet njëkohësisht dhe në mënyrën sesi juristët e ardhshëm përgatiten në bankat e universiteteve.


Për më shumë informacion lidhur me bashkëbisedimin tonë, ju ftojmë të ndiqni episodin e plotë në Anchor ose Apple Podcast.



Çela është themelues i platformës Rule of Law Albania dhe aktualisht pjesëmarrës më programin Ndërkombëtar të Sundimit të Ligjit dhe Sigurisë pranë Kolegjit të Ligjit Sandra Day O’Connor të Universitetit të Arizonës. Ndregjoni është një jurist e re e diplomuar në drejtësi pranë Universitetit të Tiranës. Aktualisht ajo është pjesë e Forumit Rinor të OSBE dhe është e angazhuar pranë Exit.al ku shkruar periodikisht rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me drejtësinë dhe politikën.

Popular Posts