New Podcast Interview – Rëndësia e qasjes institucionale në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, me Marash Logu dhe Albi Cela

 


Albi Çela & Marash Logu – Washington D.C./Tiranë




Qasja institucionale konsiderohet si mënyra më efikase për formimin e një shtetit të drejtë dhe demokratik. Fatkeqësisht, përgjatë rrugëtimit tridhejtëvjecar post-diktaturë, ne akoma nuk e kemi të kultivuar kulturën e zgjidhjes së cështjeve private apo publike nëpërmjet rrugëve institucionale. Ky është një problem i cili qëndron si  në sferën politike por dhe në atë shoqërore.

Duke patur parasysh mungesën e vullnetit të aktorëve politikë për forcimin e institucioneve të cilat funksionojnë në bazë të Kushtetutës dhe akteve nën-ligjore, rruga më efikase për ta arritur këtë është nëpërmjet ndërgjegjësimit të publikut që alternativa më e mirë për zgjidhjen e problematikave është nëpërmjet institucioneve. Shmangia e tyre nuk bën gjën tjetër vetëm se i dëmton ato më shumë, dhe gërryen më tëj demokracinë dhe shtetin ligjor.

Për të kuptuar dëmin që i bëhet shtetit të së drejtës dhe demokracisë nëpërmjet rrugëve jo institucionale, mjafton t’u referohemi marrëveshjeve politike të viteve 2008, 2017 dhe së fundmi asaj të 5 Qershorit lidhur me reformën zgjedhore, ku secila prej tyre ka prodhuar kriza të thella institucionale pasi cdo vendim është marrë në terma afatshkurtër dhe jo në dobi të demokracisë.

Vlen për tu theksuar që rëndësia e institucioneve është kuptuar së fundmi si rrjedhojë e mungesës së Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Mungesa e dy gjykatave më të rëndsishme përsa i përket hierarkisë, ka sjellë një vakum në sistemin e drejtësisë pasi është i pamundur adresimi, dhe kontrolli i akteve nënligjore apo i veprimeve të organeve shtetërore. Gjithsesi, kjo situatë nuk duhet të justifikojë braktisjen e kauzave të ndryshme, përkundrazi duhet ushtruar presion në mënyrë të vashdueshme kundrejt klasës politike, dhe këtë më së miri mund ta bëjë shoqëria civile sëbashku me median.

Krahas qasjes institucionale në nivel kombëtar, një rol mjaft të rëndëshishëm në demokratizimin e vendit mund të luajnë dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos në aspektin e të drejtave të njeriut duke patur parasysh dhe mungesën e kulturës juridike që ekziston në vendin tonë lidhur në këtë fushë.

Rasti më konkret i rezultateve pozitive që sjell ndërthurja e qasjes institucionale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe presionit të shoqërisë civile dhe medias, është Paketa Antishpifje, e cila u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias. Kjo më pas solli dhe reflektimin e klasës politike e cila u tërhoq nga qëndrimi i saj lidhur me ligjin në fjalë. 

Gjithsesi, pavarësisht rëndësisë që kanë institucionet ndërkombëtare, duhet punuar më shumë në forcimin e sistemit të brendshëm si e vetmja mënyrë për të arritur një demokratizim sa më të gjërë të shoqërisë, dhe kjo mund të arrihet më së miri me angazhimin e të rinjve me integritet dhe me formimin e nevojshëm profesional, në shkallë të ndryshmë të administratës publike.


Për më shumë informacion lidhur me bashkëbisedimin tonë, ju ftojmë të ndiqni episodin e plotë në Anchor ose Apple Podcast.


Çela është themelues i platformës Rule of Law Albania dhe aktualisht pjesëmarrës më programin Ndërkombëtar të Sundimit të Ligjit dhe Sigurisë pranë Kolegjit të Ligjit Sandra Day O’Connor të Universitetit të Arizonës. Logu është një jurist e ri i diplomuar në drejtësi pranë Universitetit të Tiranës. Aktualisht ai është pjesë e Halimi Tax Law dhe është i angazhuar pranë Qëndresës Qytetare. Logu gjithashtu shkruan periodikisht në forume të ndryshme mediatike lidhur me situatën aktuale ligjore dhe politike në vend e më gjerë

Popular Posts